Konceptimi i Parkut ne Pyllin e Levanit Fier.
Shtigje, pista vrapimi dhe hapësira për fëmijët janë elementet e një parku kombëtar që bashkia e Fierit synon t’ia shtojë pyllit të Levanit Pylli është shndërruar në destinacion për qytetarët të cilët përfitojnë bujarinë e natyrës, pranë një qytetit të zhurmshëm.
Projekti i bashkisë së Fierit synon rivitalizimin e pjesës juglindore të pyllit dhe kthimin e kësaj zone në park kombëtar.
Një rrugë lidhëse mes aksit Fier Levan dhe pyllit, pritet të reduktojë distancën nga qendra e qytetit në vetëm 4.5 km.
Konkretisht parku do të jetë i aksesueshëm, duke siguruar kalime këmbësorësh dhe biçikletash, hapësira çlodhëse dhe elemente ujorë.
Gjithashtu, bazuar në këtë projekt, do të ndërtohet një kompleks sportiv, i cili do të vihet në shërbim të banorëve të Fierit, por edhe të turistëve.
Kompleksi sportiv do të jetë në funksion të aktiviteteve që do t’i shtohen parkut të Levanit dhe do të ndërtohet me materiale miqësore me mjedisin për të mos shkaktuar asnjë efekt mjedisor në florën dhe faunën e pyllit.
Ky projekt do të kthejë pyllin në park funksional dhe mikpritës për qytetarët dhe turistët.
Zgjerimi i Parkut do t’i shërbejë një numri më të madh qytetarësh dhe do të kthehet në një “frymëmarrje” të re për territoret e njësive administrative pranë.