Rikualifikimi urban i qendrës së qytetit të Fierit ka prekur edhe zonën përreth lumit Gjanica. Rehabilitimi i lumit Gjanica, rindërtimi i urës ekzistuese dhe ndërtimi i një ure të re, koristë e biçikletave, rikonstruksioni i fasadave, instalimi i ndriçimit dhe hapësirat e gjelbra janë pjesë e projektit që do të transformojë një rrëmujë të deridjeshme urbane me ndërtime pa leje, në një hapësirë sociale e rekreative që i ka munguar qytetit.
Shtrati i lumit Gjanicë do të rehabilitohet duke e kthyer atë në një aset natyror të rëndësishëm për qytetin. Parkimi nëntokësor me kapacitet prej 100 vendesh pritet të eliminoje traditën e parkimit dyshe të makinave, duke krijuar kaos dhe shqetësim për banorët.
Projekti konsiston në rregullimin e lumit Gjanica për të rikthyer karakterin e tij natyror; ofrimi i një konceptimi për sheshin qendror të qytetit; përmirësimi i fasadave të qytetit dhe godinës së kinema-teatrit.
Projekti synon gjithashtu të lehtësojë hapësirat publike dhe të sigurojë akses të drejtpërdrejtë në lumë duke rindërtuar urën me hark dhe urën me shkallë dhe ndërtimin e një ure të re. Ndërtimi i parkingut nëntokësor në sheshin Nënë Tereza, mini-shesheve dhe aksesi në parkun qendror dhe mbjellja e gjelbërimit kryesisht buzë lumit dhe përgjatë rrugëve do të sjellë rinovimin urban të qendrës së qytetit të Fierit dhe një imazh krejt tjetër. me mundësi për zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe kulturor dhe më e rëndësishmja kthimin e kësaj zone në shërbim të më mirë të banorëve të qytetit.
Ndërhyrja dhe rehabilitimi i lumit Gjanica në kushte krejtësisht të pafavorshme klimatike ka qenë një nga sfidat kryesore gjatë zbatimit të projektit. Një sfidë tjetër në këtë projekt tejet kompleks është finalizimi i tij me sukses në afate të shkurtuara, me objektiv përfundimin e punimeve deri në fund të vitit 2019.