Riperteritja Urbane e Bulevardit Ramiz Aranitasi. Bashkia Fier.
Bulevardi “Ramiz Aranitasi” me gjatësi 700 metra është një nga arteriet kryesore të qytetit të Fierit që lidh sheshin “Fitorja” me sheshin “Pavarësia”. Ai është vazhdimësi e bulevardit “Jakov Xoxa” dhe shërben si rrugë lidhëse mes qendrës së qytetit, pjesës jugore të unazës së qytetit dhe rrugës jugore nacionale.
Për këtë arsye kjo arterie e rëndësishme i është nënshtruar projektit rehabilitues, i cili do të mundësojë rikthimin e hapësirave të munguara publike dhe rikonceptimin e tyre, si dhe nxitjen dhe zhvillimin e biznesit dhe të gjitha aktiviteteve ekonomike e sociale të zonës.
Punimet që parashikohen në projekt përfshijnë: rikonstruksionin e trupit të rrugës, ruajtjen e kolektorit të rrugës si dhe linjës së furnizimit me ujë, kanalizimin e ujërave të shiut, ndriçimin, vendosjen e kontenierëve, gjelbërimin, restaurimin e fasadave dhe mobilimin urban, sinjalistikën, ndërtimin e nënshtresave rrugore. Në të dyja anët e rrugës ka një korsi parkimi dhe në të dyja anët e bulevardit ka trotuare me gjerësi të ndryshueshme.
Përmes këtij projekti do të shtohen korsitë e biçikletave me gjerësi rreth 1.5 m. Përgjatë bulevardit, në të dyja anët, ka 40 objekte dhe do të ndërhyhet në 23 prej tyre. Projekti parashikon restaurim dhe unifikim të fasadave, ku kati përdhes i të gjitha ndërtesave do të vishet me pllaka qeramike.